Një ditë para shpalljes së aktgjykimit në rastin për pengim të drejtësisë në Hagë, në profilin e ish-presidentit Hashim Thaçi është rikthyer një fotografi e tij me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fotografia shoqërohet me një deklaratë të Thaçit të publikuar në shkurt të vitit 2020, në të cilën ai shprehej krenar për shërbimin e tij në UÇK dhe rolin si Drejtor Politik i saj.
“Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj. Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo”, thuhet në deklaratën e publikuar në profilin e tij.
Aktgjykimi ndaj Thaçit në rastin për pengim të drejtësisë do të shpallet të martën, më 17 nëntor, në orën 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.