Dje, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për vazhdimin e kësaj seance që do zhvillohet me 9 shtator. Deputeti i VV’së, tha se vendimin në fjalë e mori duke u bazuar në marrëveshjen e arritur mes dy krerëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për emrin e Bekim Sejdiut për president.
Njoftimi i Deharit për vazhdimin e seancës u prit me kritika nga partitë. Së pari Dehari e VV’ja, u kritikuan për shkeljen e afatit kushtetues, dhe tani, për shkeljen e afatit të cilin vetë VV’ja e kishte caktuar në bazë të interpretimit të tyre.
Kritikat erdhën kryesisht nga dy partitë e opozitës, Aleancës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Ardian Gjini dje vlerësoi se Kosova ‘’ka dalë jashtë binarëve kushtetues’’, duke shtuar se ata ende s’janë kontaktuar nga askush për pjesëmarrje në seancë.
“Nuk na ka kontaktuar askush [për pjesëmarrje në seancë]. Nuk kemi marrë vendim. Shumë shpejt, të martën e kemi mbledhjen e rregullt të kryesisë, nëse është nevoja, mblidhemi edhe më herët, dhe do të marrim vendim se çka do të bëhet më tutje, por po më duket se mundeni me nxjerrë gjithçka prej asaj që e thashë. Kosova ka dalë jashtë binarëve kushtetues. Çkado që ndodh është jo e ligjshme sot. Të gjitha vendimet që janë tu i marrë, të gjitha nënshkrimet që i qesin nëpër letra, janë të paligjshme”, u deklaroi dje Gjini.
Reagime pati edhe nga PDK’ja. Vetë kryetari i kësaj të fundit, Bedri Hamza, sot theksoi se VV’ja ka shkelur edhe afatin e vetë për konstituimin e kuvendit, duke e cilësuar këtë si ‘’një absurd të ri’’.
‘‘Dhe tash kemi ardhur deri te një absurd i ri. Për javë të tëra, Vetëvendosja është përpjekur ta arsyetojë sjelljen e saj përmes interpretimit të vet të afateve për konstituimin e Kuvendit. Sot po shihet se po shkelet edhe ai afat. Pra, tashmë nuk po shkelen vetëm afatet dhe obligimet që burojnë nga rendi kushtetues. Po shkelet edhe afati sipas interpretimit të vetë Vetëvendosjes. Tash, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që e ka përcaktuar vet Vetëvendosje. Por, Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta’’, ka deklaruar sot Hamza.
Por, ndryshe nga këto dy parti, me e heshtur është treguar Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga kjo e fundit, nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me ftesën e Deharit. LDK’ja, nuk ka qenë pjesë as e aktiviteteve të PDK’së dhe Aleancës të cilat këto dy të fundit i kanë zhvilluar para qeverisë, dhe në Kuvend, ku ato kanë shkuar disa herë.
Kreu i LDK’së Lumir Abdixhiku të martën që shkoi duke njoftuar se 6 deputetë të LDK’së kanë kundërshtuar marrëveshjen e tij me Kurtin, tha se ai bashkë me 12 deputetë të LDK do të jetë në sallë kur të votohet për Presidentin.
Ndryshe, sipas njohësve të Kushtetutës, afati për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar me 7 gusht, datë e cila ka shënuar 30 ditshin nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të qershorit. Këtë e kishte kundërshtuar VV’ja, nga ku ishte thënë se, afati për konstituimin e kuvendit fillon vetëm pas thirrjes së seancës konstituive, e që ishte bërë me 6 gusht. Megjithatë, edhe ky interpretim është shkelur nga vetë VV’ja, duke pasur parasysh se vazhdimi i seancës është thirrur për 9 shtator.