Drejtori i Shërbimeve Tekniko-Administrative në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Fisnik Dobra, ka deklaruar se ka nisur zëvendësimi i shtretërve të dëmtuar në Klinikën e Pediatrisë, në kuadër të një projekti për modernizimin e infrastrukturës dhe furnizimin me inventar medicinal.
“Sot është bërë ndërrimi i disa shtretërve të cilët kanë qenë të dëmtuar. Janë ndërruar me shtretër të rinj, ju e patë edhe vetë, ishit dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Desha t’ju njoftoj se ky është vetëm fillimi i një projekti, nga një kontratë që është lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit e 10 qershorit, për modernizimin e infrastrukturës. Këtu konkretisht bëhet fjalë për furnizim me inventar për klinikat, inventar medicinal”, deklaroi Dobra.
Ai bëri të ditur se deri në fund të kësaj jave priten planifikimet nga të gjitha klinikat për nevojat me inventar të ri, në kuadër të një kontrate që përfshin 51 artikuj.
“Deri të premten e kësaj jave, i presim të dhënat nga klinikat me planifikimet për inventar të ri, për shtretër dhe të tjera, nga një kontratë me 51 artikuj. Pastaj do të mblidhen të gjitha ato të dhëna, do të strukturohen dhe do të bëhet kërkesa për furnizime. Besojmë që për një periudhë shumë të shkurtër, shumë të shpejtë, do të bëhen furnizimet sipas kontratës që është lidhur nga AQP-ja”, tha ai.
