Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se mungon vullneti politik mbipartiak për të ndaluar përdorimin e parasë publike për qëllime elektorale.
Në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me përgjegjësinë penale të përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Deliu-Kodra ka theksuar se është e papranueshme që të ndahen mjete dy ditë para zgjedhjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo ka vlerësuar se vendimet që i ka marrë Qeveria kanë qenë të padrejta, ndërsa mënyra se si Qeveria ka vendosur të ndajë paratë në situatën e balotazhit të zgjedhjeve, përbën një interferim të pashoq.
“Nuk mundet dikush që i ka resurset e shtetit t’ia vendosë kujtdo dhe pastaj me partitë e tjera të shtetit të mos jetë e barabartë”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
