Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, ka shprehur shpresën se gjatë javës së ardhshme do të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Ai tha se miratimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare është urgjent, duke shtuar se vonesat e deritanishme kanë sjellë humbje kohe për vendin.
“Shpresoj shumë që javën e ardhshme të mund ta konstituojmë Kuvendin, sepse është shumë e rëndësishme që sa më parë të votohet Qeveria dhe ministrat. Kjo për shkak të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë tejet urgjente në raport me kohën që kemi humbur”, tha Bajrami në ATV.
