Aktivistja mjedisore Greta Thunberg u ka thënë zyrtarëve suedezë se po i nënshtrohet trajtimit të ashpër në paraburgimin izraelit pas ndalimit në një flotilje që transportonte ndihma për në Gaza. Sipas “ The Guardian ”, forcat izraelite kanë bërë fotografi ku Thunberg është detyruar të mbajë në dorë disa flamuj.
Në një email të dërguar nga ministria e jashtme suedeze tek njerëz të afërt me Thunberg, një zyrtar që ka vizituar aktivisten në burg tha se ajo pretendonte se ishte mbajtur në një qeli të mbushur me pleshta shtrati, me shumë pak ushqim dhe ujë.
“Ambasada mundi të takohet me Gretën”, thuhet në email. “Ajo u ankua për dehidratim. Ajo ka marrë sasi të pamjaftueshme uji dhe ushqimi. Ajo gjithashtu deklaroi se kishte pasur skuqje të cilat dyshon se ishin shkaktuar nga pleshtat e shtratit. Ajo foli për trajtim të ashpër dhe tha se kishte qenë ulur për periudha të gjata në sipërfaqe të forta.”
“Një tjetër i paraburgosur i tha një ambasade tjetër se e kishin parë Thunberg duke u detyruar të mbante flamuj teksa i bëheshin fotografi. Ajo pyeste veten nëse imazhet e saj ishin shpërndarë”, shtoi zyrtari i ministrisë suedeze.
Akuza u mbështet nga të paktën dy anëtarë të tjerë të flotiljes që ishin ndaluar nga forcat izraelite dhe ishin liruar të shtunën.
