Sot për herën e 33’të ka dështuar konstituimi i kuvendit. Skenari qe i njëjti, komisioni për kalimin në votim të fshehtë nuk i mori votat e nevojshme. Për ndërrimin e mënyrës së votimit, para më shumë se një muaji, AAK i është drejtuar Kushtetueses, mirëpo akoma nuk ka përgjigje. Gjykata thotë se janë duke e shqyrtuar lëndën.
Pas disa dështimesh për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare, VV nxori një kartë të re për konstituimin e kuvendit, atë për ndryshimin e formës së votimit, nga i hapur në të fshehtë. Menjëherë pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e bëri këtë propozim, partitë opozitare e kundërshtuan.
Nga ky propozim VV akoma nuk ka hequr dorë, por më 12 maj deputetët e AAK’së iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për vlerësim të kushtetueshmërisë. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga deputetë të LDK’së e PDK’së.
“Më 12 maj 2025, në ora 11:00, deputetët e AAK-së do të dorëzojnë kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të të gjitha vendimeve të tjera me natyrë të njëjtë, të marra në seancat paraprake dhe të mëvonshme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar; “Transkript i Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025”, thuhej në njoftimin e AAK’së.
Në një përgjigje për Express Kushtetuesja ka thënë se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes.
“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigje.
Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuesja duhet të vendosë brenda prej 60 ditëve.
“Në rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve.Megjithatë, në praktika, jo në ta gjitha rastet Gjykata Kushtetuee ka arritur që ta respektojë këtë afat ligjor, ashtu që në disa raste, vendimmarrja ka zgjatur deri në mbi 1 vit”, ka thënë ai.
