Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në qytetin Chiari të Italisë, ku 21-vjeçari shqiptar Eduart Xhani dyshohet se vrau me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, brenda banesës së tyre.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e krimit. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, krimi ndodhi gjatë natës në banesën e familjes, në rrugën Tagliata. Pas ngjarjes, i riu u largua nga vendi, por më vonë u vetëdorëzua te Karabinierët në Kremona, raportuan mediat italiane.
Kryetari i bashkisë së Chiarit, Gabriele Zotti, ka shprehur tronditjen e komunitetit, duke theksuar se lajmi ka prekur jo vetëm njerëzit që e njihnin familjen, por të gjithë qytetin.
“Komuniteti u trondit sot nga ky lajm, nga kjo ngjarje tragjike që ka prekur të gjithë qytetarët. Është një lajm që ka goditur jo vetëm ata që e njihnin familjen për shkak të fqinjësisë, lidhjeve familjare apo miqësisë, por të gjithë qytetin”, deklaroi kryebashkiaku.
Në rrëfimin e kryebashkiakut, familja përshkruhet si një familje punëtore dhe e integruar në jetën e qytetit. Sipas tij, Meleqe Lusha ishte ndarë nga bashkëshorti kur djali ishte ende i vogël dhe ishte kujdesur vetë për rritjen e tij, duke përballuar sakrificat dhe përgjegjësitë e prindërimit.
Ajo kishte pasur mbështetjen e katër vëllezërve të saj, të cilët punonin në sektorin e ndërtimit dhe njiheshin në qytet. Edhe vetë 39-vjeçarja ishte një grua punëtore. Ajo punonte në Spitalin Civil të Breshias, ku përditë përballej me angazhimet dhe sakrificat e punës.
Sipas kryetarit të bashkisë, Eduart Xhani ishte rritur në Chiari, ku kishte ndjekur edhe shkollimin, nga arsimi fillor deri në atë të mesëm. Ai theksoi se deri më tani i riu nuk ishte shënuar për probleme apo shqetësime të veçanta.



