Me pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ish-Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried, po dëshiron ta paralajmërojë Kosovën kundër shenjave të vazhdueshme të autoritarizmit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit.
Fried që shërbeu në këtë pozitë nën administratën e George W. Bush, e për disa muaj edhe në atë të Barack Obama-s, beson se pezullimi i Dialogut Strategjik, është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm.
I pyetur për sulmin terrorist në Banjskë, top-diplomati amerikan vlerëson se Kosova duhet t’i ekspozojë botës përpjekjet malinje të Serbisë dhe se marrëdhëniet më të forta me Bashkimin Evropian “do ta ndihmonin Kosovën në përpjekjet për t’u mbrojtur nga një agresion i tillë”.
Në intervistën për Albanian Post, diplomati amerikan, Daniel Fried, vlerëson se administrata e Trump mund të përdorë masa shtesë presioni, si tarifat, dhe se ka potencial për të ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, ndonëse ky proces është “i vështirë, por që mund t’i pëlqejë Trumpit”. Ai vëren gjithashtu se mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë nuk tregon domosdoshmërisht probleme, por më tepër ngadalësi në emërimet e administratës.
Sa për raportet SHBA–Serbi, ai thekson se sinjalet janë të përziera, por se Uashingtoni po tregon gatishmëri për presion ndaj Beogradit, ndërsa strategjia e Vuçiçit për të balancuar midis Perëndimit dhe Rusisë “mund të mos funksionojë më si dikur”.
Albanian Post: Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke shprehur shqetësime për partneritetin me qeverinë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Sa serioze është vendimi i Uashingtonit për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?
Daniel Fried: Asgjë nuk është e përhershme, por pezullimi i Dialogut Strategjik pason frustrimin ndaj qeverisë së kryeministrit Kurti. Është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm.
Albanian Post: Çfarë mesazhi po përpiqet të dërgojë SHBA-ja përmes këtij veprimi drejt liderëve në Kosovë?
Daniel Fried: Një pjesë e administratës amerikane po paralajmëron kundër shenjave të vazhdueshme të autoritarizmit nga Kurti dhe ndaj qëndrimeve të tij të ashpra kundrejt komunitetit serb në Kosovë.
Albanian Post: Cili mendoni se është motivi pas këtij vendimi në këtë moment të caktuar?
Daniel Fried: Nuk mund të them me siguri, dhe deklarata e muajit shtator nga ana e SHBA-ve nuk specifikoi ndonjë ngjarje që e shkaktoi vendimin. Natyra e administratës së Trump – veçanërisht dobësia (apo edhe mungesa) e strukturave formale të politikëbërjes dhe fuqia relative e ndikimeve joformale – e bën të vështirë analizën e çështjeve të kohës.
