Mbi 50 raste të reja me fruth janë regjistruar në nivel vendi, ndërsa vetëm në Prishtinë janë evidentuar 17 raste të reja, një situatë që institucionet shëndetësore e konsiderojnë alarmante.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë Valdet Hashani, në një intervistë për Ekonomia Online tha se rritja e rasteve lidhet drejtpërdrejt me rënien e përqindjes së vaksinimit të fëmijëve.
“Në nivel vendi është rritur numri, mbi 50 raste të fruthit që janë paraqitur si raste të reja, e vetëm Prishtina është me 17 raste të reja të fruthit, që është një shifër alarmante për ne dhe për institucionet shëndetësore në nivel vendi. Fatkeqësisht, ky trend i paraqitjes së fruthit në vendin tonë ishte që nga viti i kaluar, kur ishin rastet e para që u izoluan në Ferizaj, pastaj edhe në qytete të tjera. Ndërsa, pas atij, atyre paraqitjeve, prononcimet tona ishin të rritura, jo vetëm tona si QKMF e Prishtinës, por edhe në nivel vendi – Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, qendrat e tjera të mjekësisë familjare, duke bërë thirrje që të bëhet vaksinimi i fëmijëve”, tha ai.
Hashani tha se gjatë vitit të kaluar niveli i vaksinimit kundër fruthit në Kosovë ishte 82%, ndërsa në Prishtinë vetëm 71%, duke krijuar terren për paraqitjen e rasteve të reja sivjet.
“Fatkeqësisht, vitin e kaluar, numri i vaksinimit, përqindja e vaksinimit të fëmijëve në nivel vendi në fakt nivel vendi ka qenë 82%, ndërsa Prishtina e ka pasur nivelin akoma më të ulët, 71%. Kjo vetë tregon faktin, momentin kur bie numri i vaksinave ose vaksinimit të fëmijëve, në mënyrë automatike rastet paraqiten në vitin e ardhshëm. Sivjet, ashtu siç thashë, fatkeqësisht i kemi 17 raste, po e mira e kësaj në këtë proces është se në gjashtëmujorin e parë, domethënë vetëm janar-qershor të këtij viti, në Prishtinë i kemi afër 2000 të vaksinuar, që është diku mbi 56% shkalla e vaksinimit, që nëse e vazhdon me këtë trend, do të thotë se mund të arrijmë edhe 100%-shin. Ndërsa, si krahasim, komparacion me atë të vitit të kaluar, nga 56% sa e kemi sivjet, vitin e kaluar në gjashtëmujorin e parë ka qenë shkalla e vaksinimit 47%. Që domethënë 9% është rritur vaksinimi vetëm në nivelin e gjashtëmujorit të parë”, tha ai.
Ai theksoi se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe se çdo fëmijë i pavaksinuar mbetet i rrezikuar.
“Kjo nuk duhet të na japë hapësirë për vetëkënaqësi, meqë realisht kjo është një sëmundje shumë sensitive, shumë e ndjeshme, shumë infektuese, ngjitëse, andaj të gjithë ata fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar janë kandidatë që edhe mund ta marrin këtë sëmundje. Sigurisht që në prononcimet tona disa herë, nuk është e tepërt të themi se përpara, pikërisht për shkak të problematikës edhe patologjisë së rëndë që e ka kjo sëmundje, përpara kanë thënë ‘nuk ka fëmijë derisa ta kryejë fruthin edhe ushtrinë’. Domethënë, edhe kjo le të merret parasysh, meqë kjo sëmundje nuk ka asnjë lidhmëri, ose vaksina e MMR-it, ose e shytave, e fruthit dhe e rubellës, ose siç quhet si vaksina MMR, duhet të jepet patjetër sapo ta bëjë fëmija vitin e parë. Domethënë ditëlindjen e parë fëmija patjetër vaksinohet qysh në ditën e parë pas ditëlindjes”, tha ai.
