Dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat e “Demokracia në Veprim” tregojnë që interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.
Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29 për qind. Sa për krahasim, dalja në votime në kohën e njëjtë në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë.
Regjionet me dalje më të madhe, sipas të dhënave të DnV-së, janë komunat me shumicë serbe (42%), pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është 33%. Dalje më e vogël në zgjedhje është regjistruar në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, 23% respektivisht 24%.
Parregullsitë më të shprehura
-Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Edhe në pjesën e dytë të ditës, sipas njoftimit të DnV-së, ka pasur mjaft raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 65% të vendvotimeve, me deri në 10 raste. Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës kjo dukuri ka qenë e shprehur edhe deri në 30 raste (në 12% të vendvotimeve).
-Votimi me asistencë
Trendi i votimit me asistencë që nga mëngjesi ka mbetur përgjithësisht i njëjtë, pra 0.2%, ndonëse është i përhapur në 55% të vendvotimeve. Rreth 78% të këtyre rasteve lidhen me asistimin e votueseve gra. Votimi me asistencë nuk po evidentohet në 6% të vendvotimeve, deri në 10 raste.
