Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar Deklaratën Preliminare për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se procesi zgjedhor është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta.
Duke prezantuar gjetjet preliminare, Eugen Cakolli nga DnV tha se procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe se qytetarët kanë pasur mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës pa pengesa serioze.
“Demokracia në Veprim vlerëson që zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase, ndërsa votuesit kanë pasur mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë. Zgjedhjet, sidoqoftë, janë mbajtur në një proces të pazakontë politik dhe institucional, meqenëse janë zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen në më pak se një vit e gjysmë”, deklaroi Cakolli.
Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shënuar progres të dukshëm në administrimin e procesit dhe në funksionimin e brendshëm institucional.
“Ajo çfarë bie në sy është që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë proces ka administruar shumicën dërrmuese të operacioneve zgjedhore edhe në mënyrë profesionale, edhe në përputhje me dispozitat ligjore. Fatmirësisht është shënuar progres sa i përket përmirësimit të natyrës dhe dinamikës së punës në KQZ, meqë janë evituar rastet e polarizimit e përplasjeve brenda këtij institucioni”, tha ai.
Megjithatë, DnV vëren rënie të interesimit qytetar për pjesëmarrje në votime, krahasuar me proceset e kaluara.
“Në krahasim me zgjedhjet paraprake, edhe fushata edhe dita e zgjedhjeve në Kosovë janë karakterizuar nga një lodhje e cila është manifestuar me riciklim të ofertave politike dhe me ulje të motivimit qytetar për të marrë pjesë në zgjedhje, me ç’rast kemi shënuar një prej daljeve më të ulëta në zgjedhje në pothuajse një dekadë”, theksoi Cakolli.
Lidhur me votimin jashtë vendit, ai tha se procesi është zhvilluar pa probleme serioze dhe pa kontestimet që kishin karakterizuar zgjedhjet e kaluara.
“Interesimi i votuesve jashtë vendit mbetet jashtëzakonisht i lartë me mbi 131 mijë votues të regjistruar suksesshëm, prej të cilëve rreth 85 mijë tashmë kanë dërguar në mënyrë të suksesshme pakot e tyre të votave me postë, ndërsa pjesëmarrja në votimin fizik në përfaqësi diplomatike është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të fundit, me rreth 82 për qind”, tha ai.
DnV vlerëson se fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient të qetë dhe konkurrues, por evidenton probleme serioze në aspektin e barazisë së garës.
“Problemi kryesor dhe më i ndjeshëm i kësaj fushate zgjedhore ishte padyshim çështja e barazisë së garës. Vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për grupe të mëdha demografike, përfshirë studentët, punëtorët e sektorit privat, pensionistët dhe familjet, kanë krijuar një avantazh të padrejtë në raport me subjektet tjera politike. Për më tepër, vendimi për ndarjen e mjeteve për linjat ajrore që sjellin mërgimtarë nga jashtë vendit disa ditë para zgjedhjeve ka cenuar në mënyrë serioze parimin e barazisë së garës”, deklaroi Cakolli.
