Kuvendi i Kosovës u bë sot me kryetar të ri, por nuk u konstituua. Ky proces ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe. Pasi tri herë u propozua emri i njëjtë nga Lista Serbe, Dimal Basha vendosi që zgjedhja e nënkryetarit serb të kalojë në formatin me short.
Ai u arsyetua duke e përmendur disa herë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi se një kandidat mund të propozohet deri në tri herë.
Por, pikërisht gjykata që e nxori këtë vendim, të cilit Vetëvendosje iu ‘dorëzua’, Basha tha më 8 gusht se nuk i shërben drejtësisë, “por grupeve të interesit”, raporton Klankosova.tv.
‘Vendimin e turpshëm’ siç e quajti Basha atë ditë, sot e interpretoi dhe e zbatoi, duke thënë se vetëm tri herë Simiq duhet të votohet, sepse ashtu ka vendosur Kushtetuesja.
“I nderuar përfaqësues nga komuniteti serb, në frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gjykata na ka thënë të qartë që lejohet vetëm tri herë që të propozohet një kandidat. Prandaj, në të njëjtën frymë, ju ftoj të propozoni një kandidat tjetër. “
“Siç e dini, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për me dalë nga ngërçi, një prej arsyeve ka qenë propozimi i të njëjtit kandidat radhazi. Gjykata në frymën e daljes nga ngërçi, bllokimi, i Kuvendit, ka propozu që emërimet të propozohen vetëm tri herë. Kjo vlenë për kryetarin dhe nënkryetarët.” – tha Basha, teksa Lista Serbe vazhdonte me propozimin e njëjtë.
Urdhrin e lëshuar nga gjykata tentoi ta zbatojë, por po konsiderohet se e shkeli Kushtetutën dikah tjetër.
Pas moszgjedhjes së kandidatit të Listës Serbe, Basha vendosi të vazhdojë me formatin e shortit, raporton Klankosova.tv