Gjykata e Pejës ka caktuar sot, më 28.10.2026, masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet se është personi që ka vrarë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn, më 25.10.2026 në Vitomiricë të Pejës.
Kështu, Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Pejës lidhur me të dyshuarin për vrasjen që tronditi vendin.
Mediumi Kallxo.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, dhe në të përshkruhen veprimet e të dyshuarit në ditën kritike.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Albert Sylaj nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta ish-kunatën e tij, pasi kjo e fundit e kishte raportuar vëllanë e tij (ish-burrin e saj) për dhunë në familje.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pasi e ndjera ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij (Jeton Sylajt) nga Policia, në momentin kur viktima kishte hyrë në dhomën e saj të fjetjes i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima.




