Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Mehmetit dhe Qëndrim Marevcit për veprat penale fajde, ndihmë në fajde, shpëlarje parash, falsifikim i dokumenteve, mashtrim dhe kanosje, me dëm të pretenduar ndaj të dëmtuarve në vlerë prej mbi 6 milionë euro.
Në periudhën janar–dhjetor 2020, në Prishtinë, Bekim Mehmeti në mënyrë të kundërligjshme ka kontaktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve me të dëmtuarin A.M.
Thuhet se A.M., duke qenë në gjendje të rëndë financiare, në janar 2020 ka marrë para me fajde nga Mehmeti në shumën prej 100 mijë euro me kamatë mujore 10%, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për të siguruar kthimin e parave, Mehmeti e ka kushtëzuar të dëmtuarin me dhënien e autorizimit për shitjen e pronës.
Më pas, pasi i paguan disa kamata, A.M., merr sërish 100 mijë euro me të njëjtën kamatë, dhe Mehmeti e kushtëzon përsëri me të drejtën për shitje të pronës përmes kontratës noteriale nga Sh.M., nëna e K., për objektin afarist 2.800 metra katror në lagjen “Pejton”.
Kur A.M., nuk mund t’i kthejë paratë Mehmetit, ky i fundit, në bazë të kontratës noteriale, ia shet pronën Marevcit për 500 mijë euro, përmes dy veturave (njëra në vlerë 300 mijë euro dhe tjetra me transfer bankar prej 200 mijë euro).
Marevci, kinse për përmbushje të kontratës, transferon dy herë nga 50 mijë euro te Sh.M., e cila më pas i transferon 100 mijë euro te A.M., si kthim të fajdes, të mbuluar me veprime të kundërligjshme nga Mehmeti dhe Marevci.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mehmeti me ndihmën e Marevcit falsifikojnë “Kontratë mbi huanë në të holla”, kinse Sh.M., po i jep huazim Mehmetit 100 mijë euro, duke vazhduar cikli i transferimeve ndërmjet tyre.
Sipas aktakuzës, përmes këtyre veprimeve Mehmeti ka përfituar pasuri në mënyrë joproporcionale dhe u ka shkaktuar dëm Sh. dhe A. M.
Prokuroria e ngarkon Mehmetin me veprën penale “Fajde” sipas nenit 331 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, nga 21 gusht deri më 31 dhjetor 2020, në Prishtinë, Qëndrim Marevci ka ndihmuar Bekim Mehmetin në kthimin e fajdes nga A.M. Thuhet se Mehmeti i kishte dhënë A.M., 200 mijë euro me kamatë 10% dhe e kishte kushtëzuar me shitjen e pronës përmes kontratës noteriale.
Prona, 2.800 metra katror në “Pejton”, ishte llogaritur në 500 mijë euro, dhe Mehmeti e shet te Marevci, duke marrë dy vetura (vlera 300 mijë euro) dhe transfer bankar prej 200 mijë euro.
Marevci i transferon Sh.M., dy herë nga 50 mijë euro, e kjo e fundit ia dorëzon shumën Mehmetit për kthim të fajdes.
Marevci e ndihmon Mehmetin në përpilimin e dokumentit të rremë “Kontratë mbi huanë”, kinse Sh.M., po i jep huazim Mehmetit 100 mijë euro, duke vazhduar cikli i njëjtë i transferimeve.



