Avokati serb Bozho Prelleviq ka paralajmëruar se hapja e dosjeve të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) mund të shkaktojë tronditje të mëdha politike në Serbi, duke vënë në pikëpyetje lidhjet mes shërbimeve të sigurisë, pushtetit politik dhe strukturave kriminale.
Në një intervistë për revistën serbe “Radar”, të publikuar të shtunën, Prelleviq ka thënë se një nga çështjet që do të duhej të sqarohej është nëse politikani dhe ish-drejtuesi i BIA-s, Marko Parezanoviq, mund t’i përgjigjet pyetjes nëse Olliver Ivanoviq ishte nën masa të përgjimit dhe vëzhgimit në kohën kur u vra, si dhe kush kishte urdhëruar vendosjen e tij nën këto masa, transmeton RTK.
“Imagjinoni çfarë tronditjeje do të shkaktohej nëse do të hapeshin dosjet”, ka deklaruar Prelleviq, duke përmendur edhe mundësinë e zbulimit të përfituesve të parave nga Telekomi i Sllavisha Luçiqit.
Ai ka vlerësuar se shërbimet e sigurisë në Serbi për një kohë të gjatë kanë funksionuar pa kontroll të mjaftueshëm institucional, ndërsa një pjesë e tyre, sipas tij, në vend që të merren me mbrojtjen e qytetarëve dhe shtetit, janë përdorur për mbrojtjen e interesave të partisë në pushtet.
Prelleviq, ish-gjyqtar dhe ish-bashkëministër i Punëve të Brendshme në qeverinë kalimtare pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ka thënë se shërbimet e sigurisë duhet të reformohen në themel dhe të vendosen nën kontroll efektiv parlamentar dhe gjyqësor.
