Politologu Ardit Gjinali ka vlerësuar se Kosova duhet të intensifikojë veprimtarinë e saj lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar mbështetje dypartiake në Kongres dhe Senat, në funksion të avancimit të interesave shtetërore të Kosovës.
Duke komentuar realitetin politik në SHBA dhe qasjen që duhet të ndjekë Kosova ndaj zhvillimeve politike atje, Gjinali ka theksuar se mbështetja amerikane për Kosovën ka qenë e pakufizuar, pavarësisht nëse në pushtet kanë qenë demokratët apo republikanët.
Ai ka përmendur kontributin e presidentit demokrat Bill Clinton në procesin e çlirimit të Kosovës, si dhe qëndrimin e presidentit republikan George W. Bush në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Për sa i takon realitetit politik në Shtetet e Bashkuara, kujtojmë që Kosova absolutisht që ka patur mbështetjen e pakufizuar të Shteteve të Bashkuara, njëjtë si në pushtetin e demokratëve, njëjtë edhe në pushtetin e republikanëve. Kujtojmë faktin që presidenti Clinton ishte president në presidencën demokrate i cili udhëhoqi absolutisht të gjithë atë proces të çlirimit të Kosovës, dhe më pas presidenti George W. Bush në presidencën republikane i cili nga Tirana deklaroi përkatësisht dhe për pavarësinë në momentin e ardhjes së pavarësisë së Kosovës si një moment final”, ka deklaruar Gjinali për EO.
Sipas tij, këto dy momente dëshmojnë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Republikën e Kosovës, pavarësisht përkatësisë politike të administratave që kanë qeverisur në Uashington.
Duke folur për rezultatin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara dhe konfigurimin politik të institucioneve amerikane, Gjinali ka theksuar se Kosova duhet të bashkërendojë veprimet e saj politike dhe diplomatike me të gjitha hallkat institucionale, përfshirë Kongresin dhe Senatin.
Ai ka vlerësuar se mbështetja dypartiake duhet të mbetet një nga objektivat kryesore të diplomacisë kosovare, pasi, sipas tij, suksesi i Kosovës në SHBA është ndërtuar pikërisht mbi konsensusin e gjerë ndërmjet dy partive kryesore politike.
“Për sa i takon rezultatit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, patjetër që kemi një balancë tashmë politike ku senati dhe kongresi udhëhiqen nga demokratët, ndërkohë që presidenca është republikane, Kosova duhet që të bashkërendojë secilin veprim politik dhe diplomatik me secilën prej këtyre hallkave, kongres apo senat, dhe patjetër që do të kërkojë një mbështetje dypartiake, si në kongres dhe senat, pasi në fund ditësh çelësi dhe suksesi i mbështetjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara ka qenë në bazë të një mbështetjeje dypartiake të konsensusit tërësor”, është shprehur ai për Ekonomia Online.




