Rezultatet e dobëta zgjedhore, veprimet jostatutare të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe trajtimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, janë tri arsyet që, sipas anëtarit të kësaj partie, Florian Dushi, kanë rënduar gjendjen brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Duke folur në “Debat Plus” ne TV Dukagjini pas pyetjes së analistit Ylli Hoxha se cili është motivi për largimin e kryetarit aktual të LDK-së, Dushi ka thënë se këto janë tri arsyet që kanë shtyrë një pjesë të delegatëve të kërkojnë mbledhjen e Kuvendit të partisë.
“Praktikisht, nëse flasim për motivet, mund të flasim për rezultatin e dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës. E dyta janë veprimet jostatutare të Abdixhikut dhe e fundit përndjekja e ndëshkimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe”, ka deklaruar Dushi.
Sipas tij, këto zhvillime kanë krijuar nevojë për një proces të ri brenda partisë.
“Këto janë tri arsyet që kanë rënduar gjendjen në LDK dhe prandaj jemi në një pikë në të cilën një pjesë e madhe e delegatëve, gjysma kanë nënshkruar dhe kanë kërkuar të mblidhet kuvendi e t’i hapet dera ndryshimit”, ka thënë ai.
Dushi ka theksuar se kërkesa për ndryshim nuk lidhet me procesin fillestar të zgjedhjes së Abdixhikut, duke kujtuar se ai ishte zgjedhur në një proces demokratik.
