Vetëm edhe 10 ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të mund të votojnë përmes postës në zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat e fundit nga procesi i regjistrimit.
“Prej gati një muaji është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, e cila do të përfundojë pas 10 ditësh. Nga data 23 korrik dhe deri të martën, më 19 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 9,961 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 7,681, ndërkaq janë refuzuar 2,280”, tha Elezi.