Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi, në takimin e sotëm me delegacionin e parlamentarëve të vendeve anëtare të NATO-s është ankuar se çdo bisedë që bëhet për komunitetet në Kosovë përqendrohet te serbët.
“Në pyetjen e anëtarëve të delegacionit lidhur me gatishmërinë e qytetarëve të nacionalitetit serb për t'u integruar në institucionet e Republikës së Kosovës, shpreha hapur qëndrimin tim se jemi lodhur nga fakti që pothuajse çdo diskutim për komunitetet joshumicë në Kosovë përqendrohet ekskluzivisht te komuniteti serb”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi ka thënë se në takim ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Rexhepi tha se nuk dëshiron që në Kosovë të krijohet një model i ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnjë-Hercegovinë.
“Theksova se, megjithëse dikur kam votuar në mbështetje të këtij procesi, nuk e mbështes krijimin e asnjë entiteti të veçantë politik brenda Republikës së Kosovës. Mbështetja ime ishte bazuar në bindjen se një mekanizëm i tillë do të kontribuonte në integrimin e komunitetit serb në sistemin institucional të Kosovës dhe jo në krijimin e strukturave paralele apo të një republike të veçantë. Nuk dëshiroj që në Kosovë të krijohet një model i ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili mund të thellojë ndarjet etnike dhe institucionale. Ne kemi nevojë për integrim, jo për segregacion (shkolla, spitale, institucione kulturore të ndara...), kemi nevojë për institucione të përbashkëta dhe jo për ndarje të reja politike e territoriale. Nuk besoj se në ndonjë vend evropian nxënësit vijojnë mësimin në shkolla të ndara apo se ekzistojnë spitale ku trajtohen vetëm pjesëtarët e një komuniteti etnik. Për të ardhur keq!” – tha Rexhepi.
Rexhepi që është nga komuniteti boshnjak, tha se konsideron se përfaqësuesit e komunitetit serb duhet të flasin për qëndrimet, nevojat dhe përcaktimet e tyre politike.
