I akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Drenas, raporton Ekonomia Online.
Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.
I akuzuari Eqrem Avdullahu tha se e pranon fajësinë.
“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, tha ai.
Avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zbeh peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar rasti.
“Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, tha ai.
