Avokati Maksim Haxhia ka reaguar në emër të klientit të tij, Ergys Agasi, lidhur me të dhënat dhe pretendimet e bëra publike në kuadër të hetimeve të SPAK.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, Haxhia ka përcjellë versionin e Agasit, duke kundërshtuar pretendimet për takime me ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe për dokumente që dyshohet se janë gjetur në automjetin e tij.
“Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e shërbimit informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme”, ka deklaruar Haxhia.
Sipas avokatit, Agasi mohon gjithashtu se ka bashkëpunuar me sekrete shtetërore apo se në automjetin e tij janë gjetur dokumente të SHISH-it.
“Më ka thënë që sfidoj këdo që të thotë: ‘Unë kam bashkëpunuar me sekretet shtetërore’ dhe e dyta: ‘Që në makinën që kam pasur në shtëpi janë gjetur dokumente’”, ka thënë ai.
Megjithatë, në materiale të raportuara si pjesë e dosjes së SPAK thuhet se në një automjet në pronësi të Agasit janë sekuestruar nëntë printime me diagrama që dyshohet se përmbanin të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga SHISH. Sipas të njëjtit material të publikuar në media, Agasi kishte pranuar pronësinë e automjetit, ndërsa mbrojtja e tij tani kundërshton mënyrën se si janë interpretuar dhe paraqitur këto të dhëna.
Haxhia ka thënë se klienti i tij është i gatshëm të përballet juridikisht me çdo material që pretendohet se ekziston.
“Ai thotë, edhe prokurorinë dhe këdo tjetër, që të ballafaqohet”, ka deklaruar avokati.
