Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për persona të pagjetur të zhdukur në luftë, ka folur për gjetjet dhe gërmimet në komunën e Zubin Potokut.
Gara ka bërë të ditur se, pas një pune të vazhdueshme gjatë muajve të fundit nga Sektori i Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, janë lokalizuar tri lokacione të konfirmuara si hapësira për varre masive.
“Është e rëndësishme të potencohet se pas një përpjekjeje të vazhdueshme gjatë këtyre muajve të fundit, tashmë është lokalizuar hapësira me tri lokacione të konfirmuara për varre masive”, ka deklaruar Gara në KlanKosova.
Ai theksoi se është ende herët të flitet për numrin e viktimave apo personave që mund të gjenden në këto lokacione. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë vlerësimi i të gjithë hapësirës, ndërsa më pas do të ndiqet procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së.
