Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, për dy ditë me radhë dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mohojnë akuzat ndaj tyre.
Në vazhdim po iu sjellim të përmbledhur dëshminë dyditore të Clarkut, i cili është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit:
Clark, gjeneral amerikan me katër yje, dëshmoi para Dhomave të Specializuara në Hagë se Thaçi nuk ishte komandant ushtarak i UÇK-së dhe sipas tij nuk ishte përgjegjës për këtë organizatë.
Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.
“Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ishte zëdhënës. ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjetër. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, tha ai më 17 nëntor.
Në ditën e parë të dëshmisë, Clark tha po ashtu se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës.
Clark u shpreh se nuk kishte dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe as nuk kishte informacione nëse Thaçi kishte luftuar ose jo.
Ndërkaq, në ditën e dytë të dëshmisë së tij, gjenerali amerikan u shpreh se UÇK-ja nuk kishte kryer spastrim etnik.
Ai tha se i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.
I pyetur për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha:
“Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”.
Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve.
