Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar në mbrojtje të Daut Haradinajt, duke e cilësuar atë si një nga figurat e UÇK-së dhe duke kritikuar partinë në pushtet për sulmet e orkestruara ndaj tij.
Gjini ka thënë se është e pritshme që Dauti të ketë kundërshtarë, por ka theksuar se shumë parti politike do të dëshironin ta kishin atë në radhët e tyre, nëse ai nuk do të ishte kundërshtar politik.
“Dauti është fytyra e UÇK-së, e emrin e tij është krejt normale që disa që janë anti komb e kanë telashe edhe sot, gati tre dekada pas luftës”, ka shkruar Gjini.
Ai ka kritikuar atë që e ka cilësuar si standard të dyfishtë të disa partive politike, të cilat, sipas tij, harrojnë problemet dhe veprimet e njerëzve nga radhët e tyre, ndërsa përdorin akuza ndaj kundërshtarëve politikë.




