Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), duke e cilësuar atë si një alarm për gjendjen në Kosovë dhe një dëshmi të nevojës për ndryshim politik.
Përmes një reagimi publik, Gjini tha se rritja e numrit të qytetarëve që besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar, si dhe shtimi i atyre që dëshirojnë të largohen nga Kosova, janë sinjale shqetësuese që kërkojnë veprime konkrete.
Sipas tij, shqetësimet kryesore të qytetarëve lidhen me rritjen e çmimeve, faturat e energjisë elektrike, mungesën e vendeve të punës dhe korrupsionin, probleme që, siç tha ai, po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve kosovare.
“Pikërisht këto shifra dhe ky realitet që e prekim çdo ditë në terren me qytetarët janë arsyeja pse jemi të vendosur për ofertën tonë me gjashtë pika, si rrugëdaljen strategjike për Kosovën”, ka shkruar Gjini.
