Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Violeta Salihut, anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Siç njofton Supremja në Facebook, me vendimin e PZAP-së, të datës 5 qershor 2026, ishte aprovuar si e bazuar ankesa e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), duke u anuluar vendimi i KQZ-së Nr. 01/1198/2026 i datës 3 qershor 2026, për lejimin e votimit në përfaqësitë diplomatike me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës, me afat të skaduar të vlefshmërisë.
“PZAP kishte vlerësuar se KQZ-ja nuk kishte autorizim ligjor që, përmes një vendimi administrativ, të lejonte votimin me dokumente të skaduara, pasi neni 90 i Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon shprehimisht paraqitjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit për ushtrimin e së drejtës së votës, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike. Kundër këtij vendimi, anëtarja e KQZ-së, Violeta Salihu, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se vendimi i KQZ-së kishte për qëllim garantimin e ushtrimit efektiv të së drejtës kushtetuese të votës për qytetarët e regjistruar për votim jashtë vendit dhe se PZAP kishte interpretuar gabimisht dispozitat ligjore përkatëse”, thuhet në njoftim.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dispozitave ligjore në fuqi, Kolegji i Gjykatës Supreme, thotë se ka konstatuar se ankesa është e palejuar për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv procedural të parashtrueses.
