Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se qëndron plotësisht prapa projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke këmbëngulur se ai është hartuar me kujdes dhe pas konsultimeve të nevojshme.
Përmes një postimi, Gruda ka thënë se ligji nuk përmban asnjë gabim dhe se është krenar për punën e bërë bashkë me ekipin që ka marrë pjesë në hartimin e tij.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet”, ka shkruar Gruda.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë ligjin, duke nënvizuar se është i vetëdijshëm për punën dhe përgjegjësinë që ka kërkuar hartimi i tij.
“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.
Gruda ka thënë se do të kishte preferuar që debati të përqendrohej te zbatimi i ligjit dhe jo te rihapja e diskutimeve për të. Megjithatë, në rast se Kuvendi e rishqyrton atë, ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet mbi argumente juridike dhe me përgjegjësi.
“Nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka shkruar ai.
Në fund, Gruda ka ritheksuar se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij, duke thënë se qëllimi i ligjit është të kontribuojë në një drejtësi të pavarur që, sipas tij, mbron luftën çlirimtare të Kosovës.




