Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e një grupi punues që do të hartojë strategjinë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Gjykatën Speciale.
Sipas dokumentit të datës 14 tetor, grupi do të drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.
Vendimi parashikon bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për mbështetjen e proceseve gjyqësore dhe dokumentimin e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Themelohet Grupi Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë”, thuhet në dokument.
Në këtë grup parashikohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të Qeverisë, Presidencës, Kuvendit dhe partive parlamentare, përfshirë VV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.
Një ndër detyrat kryesore është bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë.
Grupi do të identifikojë nevojat për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke respektuar pavarësinë e ekipeve mbrojtëse.


