Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka vlerësuar se procedurat për ngritjen e aktakuzës lidhur me masakrën ndaj familjes Jashari në Prekaz përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë, por ka theksuar se ky proces është vonuar tej mase.
Ai për Ekonomia Online tha se institucionet e drejtësisë është dashur të vepronin shumë më herët për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
“Është real që është vendim shumë i vonuar. Unë e di që në vitin 2000, 2001, 2003, 2004 ka qenë UNMIK-u këtu që ka udhëhequr, tana Eulexi në 2008 nëse nuk gaboj, është bërë bartja e gjyqësorit prej këtyre. Është vendim i vonuar shumë, shumë. I stërvonuar. Mbas 27 viteve, na doli gjumi, prokurorëve tanë që si hap dua me përshëndet më së pari, që kanë marrë këtë iniciativë, edhe si procedurë dua me përshëndet. Po shumë vonë na ka dalë gjumi, po më mirë vonë se kurrë”, deklaroi ai.
Sipas tij, përmes këtyre proceseve duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në krimet e kryera gjatë luftës.
“Kështu që kanë bërë mirë që kanë filluar, që ata kriminelë, të cilët kanë bërë atë masakër në familjen Jashari, në lagjen e Jasharajt, janë vrarë 55 qytetarë të lagjes së Jasharit, 22 të familjes, pjesëtarë të familjes të bacit Shaban. Kështu që është e mirë që të dihet kush janë ata kriminelë, kush ka qenë shefi i operativës, kush e ka udhëhequr këtë organizim, këtë ofendim. Aty janë vrarë pleq, plaka, fëmijë, gratë e pafajshme, shtatzëna të pafajshme. Janë vrarë njerëz që ndoshta s’kanë ditur, refugjatë kanë qenë gjithmonë, janë vrarë e është mirë që të dalin para drejtësisë. Sepse unë s’po llogaris djegien e shtëpive, të rrënimeve, besa-besë me numër që kanë qenë shtëpitë, po të paktën të dihet kush i vrau ata fëmijë. Familja Jashari, të cilët Kushtrimi është i vrarë aty, 9-vjeçar nëse nuk gaboj. Të tjerat familje po ashtu ka të vrarë fëmijë, pleq. E është hap i mirë, edhe pse është i vonuar është hap i mirë. Ta dimë kush janë ata kriminelë, se ata me siguri shëtisin të lirshëm nëpër Serbi. Mund të jenë edhe në Mitrovicë, në atë pjesën andej. Mund të jenë edhe në ndonjë tjetër, shëtisin se nuk e di unë, po mund të jenë, kështu thashë unë një fjalë më herët. Kam pasur informacione se përpara kanë qenë”, u shpreh ai.
Gucati tha se autorët e krimeve mund të vazhdojnë të jetojnë të lirë, ndërsa kërkoi që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për arrestimin e tyre.
“E, ne pak a shumë me disa emra e dimë kush ka qenë shefi i stacionit, kush ka qenë kryeinspektori në atë kohë i Skenderajt, serb. Janë 3-4 emra që është mirë, ata janë gjallë, pse mos me shku me i kap? Po nëse janë në Serbi, marrëveshje edhe me bë ekstradimin e tyre. Se ata kanë qenë qytetarë të Kosovës në atë kohë, e ata janë qytetarë të Kosovës me ligjin e ri që e ka bërë Albin Kurti, ata janë qytetarë të Kosovës, ata kriminelë. Edhe me i prurë këta kriminelë edhe me i qit para drejtësisë, edhe me u dalë, me u zbuluar ky zinxhiri i tyre deri te ushtari më i thjeshtë që kanë qenë, apo polici më i thjeshtë që ka marrë pjesë në atë masakër dhe në atë krim makabër që është bërë”, tha ai.
Duke folur për krimet e luftës në përgjithësi, ai theksoi se drejtësia duhet të trajtojë të gjitha masakrat e kryera në Kosovë.
“Po unë jam i thirrur, të gjitha masakrat në Kosovë. Kosova i ka nja 460 masakra, kështu e kemi me dokumentacion, janë 460 masakra në Kosovë, prej 460 e 465. Meja, Likoshani, Çirezi, Izbica, Marina, Rezalla, Qyshku i Pejës, mos t’i përmendi me emra të tjerë se janë boll, Reçaku e shumë e shumë e shumë masakra, që është mirë të gjitha këto masakra të dalin ata njerëz, ata aktorë kush kanë qenë që i kanë bërë këto masakra. Pse jo, edhe pse janë paguar, po unë shpresoj që prokurorët edhe drejtësia e Kosovës, ishallah tash e ka marrë hovin më shpejt”, deklaroi ai.
