Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe domosdoshmërinë e tejkalimit të ngërçit institucional.
Hamza e falënderoi raportuesin Riho Terras për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar konfirmimin se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Kryetari Hamza dhe eurodeputeti Terras vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
