Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç i quajti ai, lojërave politike përmes takimeve me kryeministrin Albin Kurti.
Haradinaj tha se Aleanca ka ngritur çështje që lidhen me energjinë, tenderët njëburimorë dhe ndërhyrjet e pretenduara në prokurori, gjyqësor dhe institucione të pavarura.
Sipas tij, AAK-ja ka kërkuar interpelancë për situatën në sektorin e energjisë dhe për atë që ai e cilësoi si abuzim me tregtinë e energjisë.
“Aleanca s’u bë pjesë e lojërave me takime me Kurtin, Aleanca ka kërkuar interpelancë për situatën me energjinë, për abuzimet me tregti me energji. Kemi ngritur zërin për tenderët njëburimorë, për ndërhyrjet në prokurori, në gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e pavarura të vendit”, deklaroi ai në një video në Facebook.
Duke folur për sulmet ndaj Aleancës, Haradinaj deklaroi se ato nuk kanë të bëjnë me emrin e tij, por me qëndrimin e partisë përballë pushtetit.




