Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka komentuar zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, duke e quajtur zhgënjyese dhe shqetësuese ngecjen aktuale të këtij procesi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i pyetur për rrjedhën e dialogut, ai tha se nuk është sekret që procesi aktualisht nuk po lëviz aq shpejt, duke përmendur mungesën e një Kuvendi dhe të një qeverie me kompetenca të plota në Kosovë, si dhe zhvillimet politike në Serbi që po marrin shumë vëmendje.
“S’është sekret që ai aktualisht nuk po lëviz aq shpejt. Dhe, nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh mungesën e një Kuvendi dhe të një qeverie me kompetenca të plota këtu. Ne, po ashtu, e kuptojmë se ka shumë zhvillime në Serbi aktualisht, të cilat po marrin shumë vëmendje politike”, tha Hargreaves.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian ka një ekip të shkëlqyeshëm që po punon për përgatitjen e terrenit kur të paraqitet një mundësi më e mirë për të ecur përpara me dialogun.
“Është zhgënjyese dhe shqetësuese që dialogu nuk po lëviz shpejt aktualisht. Por, BE-ja ka një përfaqësues të posaçëm të shkëlqyeshëm, dhe një ekip të shkëlqyeshëm, që unë e di se po punojnë fort për të përgatitur terrenin për momentin kur të paraqitet një mundësi më e mirë për të lëvizur përpara. Mbretëria e Bashkuar është sigurisht e vendosur për ta mbështetur BE-në në atë proces. Dhe, në ndërkohë, po siguron që kushtet në Kosovë të jenë më të mirat e mundshme, për të mundësuar një mjedis të mirë për këtë. Kjo është diçka që Kosova mund ta bëjë, pavarësisht bisedimeve dypalëshe apo trepalëshe. Por, baza e dialogut do të ndikohet shumë nga kushtet në terren. Dhe, kjo është diçka që unë mendoj se është në kontrollin e Kosovës dhe të qeverisë së saj”, vijoi ai
