Universiteti i Prishtinës u ka bërë thirrje Prokuroria e Shtetit, Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, që të ndalojnë aktivitetet ilegale ndërtimore dhe biznesore në hapësirat e këtij universiteti.
“I shqetësuar tejmase me aktivitetet ilegale ndërtimore dhe biznesore mes Bibliotekës Qendrore Universitare dhe hapësirave te Instituti i Kimisë në kampusin qendror, personeli i Universitetit të Prishtinës edhe një herë më shumë u bën apel publik dhe thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të vendit, si p.sh. Prokurorisë së Shtetit, Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, që të ndalojnë aktivitetet ilegale dhe të krijojnë parakushte e siguri për Universitetin e Prishtinës që të mund të zhvillojë veprimtarinë e vet i papenguar”, thuhet në thirrjen e UP-së drejtuar këtyre organeve.
Nga UP-ja kanë bërë të ditur se për punime dhe veprimtari ilegale në këtë pjesë të kampusit universitar, Inspekcioni i Komunës së Prishtinës ishte njoftuar nga zyrtarë të universitetit më 23 shtator 2025 dhe më 25 tetor 2025. Sipas tyre, drejtori i këtij dikasteri komunal kishte dalë në vendin e ngjarjes vetëm më 27 tetor 2025, por pa ndërmarrë asnjë veprim konkret, duke mundësuar kështu vazhdimin e aktiviteteve ilegale ndërtimore dhe biznesore në kampusin qendror të universitetit.
“Përkundër deklaratave zyrtare nga Komuna e Prishtinës, të cilat pretendonin se ky objekt po rinovohej për t’u shërbyer nevojave të studentëve, realiteti në terren flet për veprimtari plotësisht të kundërt sesa të asaj për nevoja të studentëve”, thuhet tutje në reagim.
