Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka renditur tetë sfidat kryesore me të cilat, sipas tij, do të përballet Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke kërkuar angazhim më të madh diplomatik, forcim të raporteve me aleatët ndërkombëtarë dhe mbrojtje të rendit kushtetues.
Në një reagim publik, Hoti ka vlerësuar se, ndonëse janë shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, Kosova përballet me zhvillime të rëndësishme politike dhe institucionale, ku roli i Presidentes do të jetë përcaktues për drejtimin e ardhshëm të vendit.
Sipas tij, një ndër sfidat kryesore lidhet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, për të cilin thekson se Kosova ka nevojë për një strategji të fuqishme diplomatike, ku Presidentja duhet të ketë rol kyç.
Hoti ka vënë në pah edhe ngecjen e procesit të njohjeve dhe anëtarësimeve të reja të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë.
Ai ka kërkuar që Presidentja e re t’i marrë plotësisht përsipër raportet me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoti ka vlerësuar se pezullimi i dialogut strategjik me ShBA-në dhe neglizhimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit 2020 kanë ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sipas tij, rifillimi i dialogut strategjik dhe rikthimi te zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit duhet të jenë ndër hapat e parë për rivendosjen e partneritetit të ngushtë Kosovë-ShBA.
Ai ka theksuar se mbështetja amerikane është e domosdoshme për forcimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për avancimin e vendit në diplomaci, mbrojtje, siguri, inteligjencë dhe energjetikë.
Ish-kryeministri ka shprehur shqetësime edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke vlerësuar se zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) nuk po trajtohet me seriozitetin e nevojshëm.




