Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka lëshuar mbledhjen e këtij komisioni, pas vendimit të Grupit Parlamentar të PDK-së për të mos marrë pjesë në komisione derisa Qeveria ta procedojë në Kuvend propozimin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Para largimit, Hoxhaj ka ftuar subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për Gjykatën Speciale, ndërsa ka lënë anëtarët e tjerë të vazhdojnë mbledhjen.
“Unë nuk do të propozoj asgjë për fushëveprimin e komisionit. Kam dashur të jem fer me juve dhe konkret vetëm se i takon kushtëzimit të komisionit. Unë e lëshoj këtë mbledhje. I ftoj kolegët dhe të gjitha subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për gjykatën speciale. Kolegët e tjerë çfarëdo që keni prej sugjerimeve sa i takon fushëveprimit të këtij komisioni besoj që mund t’i vazhdoni”, tha ai.
Pas largimit të Hoxhajt, drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetarja e komisionit, Arjeta Fejza, e cila tha se komisioni nuk ndodhet në rrethana normale për të funksionuar.


