Nasim Haradinaj, ka thënë se dje është ngjitur në skenë për të mbajtur fjalim në marshin e organizuar në Prishtinë, pa qenë pjesë e agjendës së organizatorëve.

Në një intervistë Haradinaj deklaroi se fjalën nuk ia kishin dhënë organizatorët dhe se ishte dashur të ngjitej me forcë në skenë për t’iu drejtuar të pranishmëve.

“Unë nuk kam hyrë spontanisht, por kam hyrë bashkë me dhunë. Fjala më është cenuar që nga dita e parë e protestave dhe deri tash asnjëherë nuk më është dhënë. Atë ditë fjalën e kam marrë me dhunë, me zor kam hipur në skenë, përkundër organizatorëve. Unë kam treguar që ditën e parë se as nuk kam qenë organizator, por jam përkrahës i popullit tim, aty ku unë shoh që politika po do ta orientojë gabimisht. Ata që deshën të ma ndalin fjalimin dhe që kurrë nuk më thanë ta marr fjalën, tashmë e kanë marrë një leksion që në të ardhmen të mos mundohen të nxjerrin lidership të ri”, u shpreh Haradinaj.