Afrimi është lindur në vitin 1969 në fshatin Peran, komuna e Podujevës. Ai vjen nga një familje e thjeshtë, me një gjendje ekonomike jo të mirë, por është rritur me mësimin që t’i merrte më të mirën çdo situate në jetë, pavarësisht rrethanave.
Në ato vite fëmijërie nuk do ia priste mendja kurrë që vite më vonë, ky do të qe mësimi më i vyer për një nga momentet më të vështira të jetës së tij.
Duke u rritur, Afrimi vendosi të shkëputej nga familja dhe të zhvendosej në Prishtinë, për të krijuar jetën e tij të pavarur.
Ai gjeti një shtëpi me qera, nisi të punonte çdo ditë në ndërtim dhe në një prej ditëve që shkonte në punë njohu Naxhihen. Ata u martuan, vazhdonin të jetonin me qera dhe donin që familja e tyre të rritej. U përpoqën për shumë vite deri sa më në fund, 6 vite më vonë erdhi në jetë Krenari, djali i tyre i parë e fëmija i vetëm.
Afrimi thotë se nuk do e harrojë kurrë atë ditë. “Ishte dimër, por ta shihnit çfarë rrezesh ka pasur kur erdhi në jetë Krenari, si të ishte verë. Ka qenë dita ime më e lumtur në jetë.”
Çdo gjë po shkonte për mrekulli. Krenari po rritej i shëndetshëm dhe me pasion të madh për sportin. Afrimi e regjistroi në kurs karateje dhe e ndiqte me çdo gjë që i nevojitej, duke punuar fort për t’i siguruar një të ardhme sa më të mirë. Krenari po arrinte rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur disa herë kampion i Kosovës për moshat e reja.
Kohët e fundit, Afrimi nisi të ndjente dhimbje të forta të duarve e të këmbëve, por mendonte se kjo ishte pasojë e punës në ndërtim për një kohë të gjatë.
