Mbi 1,000 fluturime drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar u anuluan të martën, pas një problemi teknik të hasur në sistemin britanik të kontrollit të trafikut ajror NATS.
NATS njoftoi gjatë mbrëmjes se problemi teknik ishte zgjidhur dhe se operacionet kishin rifilluar normalisht. Megjithatë, autoriteti paralajmëroi se rikthimi i plotë në normalitet po merrte më shumë kohë nga sa ishte parashikuar, ndërsa ekipet po punonin për të reduktuar vonesat e krijuara.
Sipas platformës së monitorimit të fluturimeve FlightRadar24, deri në orën 19:00 GMT ishin anuluar gjithsej 1,055 fluturime.
Mes aeroporteve të prekura janë Heathrow dhe Gatwick në Londër, si dhe aeroportet e Liverpoolit, Birminghamit dhe Edinburgut.
Swiss anulon rreth dhjetë fluturime
Kompania ajrore zvicerane Swiss njoftoi se kishte anuluar rreth dhjetë fluturime, duke prekur rreth 1,007 pasagjerë në aeroportet Heathrow, Gatwick dhe London City, si dhe në aeroportin e Mançesterit.
Kompania, pjesë e grupit Lufthansa, paralajmëroi se mund të ketë vonesa dhe anulime të tjera.
Swiss tha se në këtë fazë është e pamundur të vlerësohet me saktësi kohëzgjatja e ndërprerjeve dhe ndikimi i tyre në trafikun ajror. Për disa linja të mërkurën janë planifikuar avionë me kapacitet më të madh.
Pasagjerët që preken nga anulimet do të riakomodohen automatikisht në fluturimin e ardhshëm të disponueshëm dhe u është kërkuar të kontrollojnë rregullisht statusin e fluturimit të tyre.
