Me pranga në duar, një 27-vjeçar vdiq në mesnatë në asfalt në Lipjan, i rrethuar nga disa policë që për arrestimin e tij, duket se i përdorën edhe gjunjtë.
Fundi i jetës së Agon Zejnullahut po krahasohet me vrasjen e George Floyd në SHBA nga Policia.
Agon Zejnullahu vdiq me pranga në duar në orët e para të së hënës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Zyrtarët policorë, që u prangosën vetë në mbrëmje, u tha se kishin intervenuar për ta neutralizuar Agon Zejnullahun pasi ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë”, sipas Policisë.
Një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast u arrestuan mbrëmë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
IPK tha se paraprakisht i ka intervistuar ata, dhe se për rastin ishin mbledhur dëshmi e ishin zhvilluar veprime hetimore gjatë ditës. Policëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore”, paralajmëroi Inspektorati Policor.
Vdekjen e qytetarit dhe reagimin policor, hetuesit e IPK-së e hetuan të hënën në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. U identifikuan dhe intervistuan dëshmitarë okularë dhe u mblodhën prova materiale, kryesisht incizime nga kamerat e sigurisë dhe nga telefonët e dëshmitarëve.
Valdet Hoxha, ish-kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës tha se raporti mjekësor “ka konstatuar se në momentin që kanë konstatuar vdekjen e tij, qytetari ka pasur pranga në duar”.
Ky rast, u krahasua me vrasjen e afro-amerikanit George Floyd nga një polic amerikan në vitin 2020, i cili u dënua me 22 vjet e gjashtë muaj burgim. 46-vjeçari ishte filmuar duke thënë bërtitur “Nuk mund të marr frymë”, ndërsa polici ia mbante gjurin e tij në qafë.
Kjo nxiti protesta të mëdha në SHBA kundër racizmit dhe dhunës policore dhe ka shtyrë përpara përpjekje për reforma policore në nivel kombëtar.
“Kur ta shihni videon e plote, do te bindeni se ky eshte rast i njejte si George Floyd, qe e pat qu peshe krejt Ameriken. E dhimbshme. Tragjike. Agon Zejnullahu mund te ishte femija, vllau, djali, i secilit prej nesh… Pavaresisht çfare mund te kete thene, çfare mund te kete bere nuk e ka merituar te vdes ne duart e policise sone, policise se Kosoves…”, shkroi gazetari Ilir Mirena në Facebook.
Pas tij,rastin e Floyd, në këtë kontekst, e përmendi edhe avokati Arianit Koci.