I është dhënë lamtumira e fundit oficerit të policisë Enea Mekolli. Qindra kolegë, bashkëqytetarë, drejtues vendorë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bënë homazhe gjatë ceremonisë së lamtumirës e cila u mbajt në Pogradec, në vendlindjen e tij. Nderime edhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, të cilit xhaxhai i dëshmorit i kërkoi luftë kundër krimit:
“Jepi fund krimit se po na vriten djemtë… si vrasin 3-4 herë, të merrni masa, në emër të Zotit se… nuk po dominon dot policia krimin.”
“Ngushëllime të gjithëve, sepse në fakt kjo ditë është një reflektim për të gjithë shoqërinë, për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna tek sjellja qytetare dhe patjetër pastaj edhe tek përgjegjësia përpara ligjit.” – tha Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, shkruan rtsh.al, raporton klankosova.tv.
34-vjeçari Enea Mekolli mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari.

