Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, është arratisur këtë të martë, 13 janar, nga spitali i Durrësit.
Siç ka njoftuar Drejtoria e Burgjeve, 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.
“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në një deklaratë paraprake të Drejtorisë së Burgjeve.
I arrestuar e akuzuar për disa vepra të rënda penale, më kryesorja ajo e vrasjes me pagesë, Altin Ndoci ndodhej në qelinë e burgut të Durrësit pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme, “Plumbi i Artë”, një operacion i ndarë në dy faza. E para ishte në vitin 2022, ndërsa faza e dytë në vitin 2024. Në këtë rast u zbardhën pesë vrasje dhe u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.
Altin Ndoci akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja. Hetimet për këtë organizatë u mbyllën dhe dosja u çua për gjykim në tetor të 2025-s.
Ndoci akuzohet nga SPAK, pas deklarimeve të të penduarit të drejtesisë Nuredin Dumani si i përfshirë në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, po ashtu armëbajtje pa leje për vepra të kryera në kuadër të grupit kriminal. Më herët Altin Ndoci ka marrë pafajësinë sa i takon pjesëmarrjes në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës dhe Dorian Shkozës e Angjelo Avdisë./Tv Klan