Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka paralajmëruar të gjitha bizneset prodhuese, marketet dhe subjektet e tjera që tregtojnë produkte të qumështit që të tërheqin menjëherë nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme.
IQMT u referohet raporteve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me numër 4942, të datës 27 korrik 2026, dhe 5203, të datës 10 gusht 2026.
“U bëjmë thirrje të gjitha bizneseve prodhuese të produkteve të qumështit, marketeve dhe çdo subjekti tjetër që tregton produkte të qumështit, që menjëherë të tërheqin nga tregu të gjitha produktet e konstatuara si të papërputhshme”, thuhet në njoftimin e IQMT-së.
Sipas IQMT-së, nga sot do të intensifikohen kontrollet në të gjitha subjektet që tregtojnë këto produkte, në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
Institucioni ka paralajmëruar masa ndëshkuese për bizneset ku gjatë inspektimit konstatohet prania e produkteve të qumështit me mospërputhje, të cilat nuk janë tërhequr nga tregu sipas kërkesave të inspektorit.




