Teherani ka kërcënuar se do të ndalojë qarkullimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, nëse ndonjë prej vendeve fqinje të Iranit i bashkohet luftës ekonomike të presidentit amerikan Donald Trump.
Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha se Teherani synon të “neutralizojë luftën ekonomike” të SHBA-së.
“Amerika është futur në një qoshe. Ose i respekton angazhimet e saj, ose do të duhet të luftojë për të dalë nga ajo qoshe, gjë që do ta përkeqësojë situatën”, deklaroi Rezaei në një fjalim televiziv të shtunën mbrëma.
Ai paralajmëroi se nëse vendet fqinje të Iranit ndërmarrin veprime në kuadër të fushatës ekonomike amerikane, Teherani do të mbyllë të gjithë trafikun e naftës përmes Gjirit Persik, shkruan CNN.
“Nëse fillojnë një veprim të tillë, nuk do të lejojmë që asnjë pikë nafte të kalojë përmes Gjirit Persik. Nafta nuk do të kalojë as përmes Ngushticës së Hormuzit dhe as përmes Gjirit Persik”, tha Rezaei.
Megjithatë, Irani ka lejuar së fundmi disa cisterna irakiane të naftës të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke treguar se Teherani po lejon kalime të kufizuara në këtë rrugë strategjike ujore.

