Ish-ambasadori, Avni Arifi, ka adresuar kritika në drejtim të presidentes Vjosa Osmani sa i përket nivelit të takimeve që ka zhvilluar gjatë vizitës së saj në New York.
Sipas tij, presidentja nuk ka pasur takime të rëndësishme, derisa vlerëson se presidenti i Serbisë e ka mbuluar terrenin me takime të nivelit të lartë me zyrtarë Amerikan. Arifi tha se presidentja Osmani është dashur ta mbajë një konferencë për media atje që t’i përgjigjet pretendimeve të presidentit serb i cili e ka quajtur Kosovën “metohi” gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
‘’Presidentja i ka pasur takimet shumë të varfra, nuk ka pasur ndonjë takim me ndonjë vend që është afër ta njoh Kosovës, apo që duhet ta njeh Kosovën. E kem parë një inskenim të një takimi me Rubio në një koktej, që në koktej të tillë gjithmonë mundësh me shku me bisedu dhe me i ndërru dy tri fjalë dhe me bë një fotografi, por nuk ishte takim bilateral. Kurse nuk ka marrë pjesë kryeministër në detyrë, dhe as ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme. Kosovës i ka vdekur diplomacia prej se ka ardhur zonja Gërvalla. Atje terrenin e ka mbuluar Serbia. Vuçiq ka mbajtur fjalim, kurse diplomatët serbë në takime të llojllojshme kanë lobuar se Kosova është “Kosova metohi” dhe se në Kosovë po shkelen të drejtat e njeriut. Ndërsa, ne nuk kemi pasur përfaqësim diplomatik fare. Në rrethana normale kur në Kosovë kemi një Qeveri të duhur që të tre, kryeministri, ministrja e jashtë dhe presidentja do të duhej që atje të ishin dy tri ditë përpara. Të punonin ngushtë me ambasadën që ta bëjnë një agjendë me i targetu vendet që kjo është në interes për Kosovën dhe që të kenë edhe konferencë për shtyp. Sidomos pas një fjalimi të Vuçiqit. Sepse ne nuk kemi të drejtë të marrim pjesë në Asamblenë e Përgjithshme dhe të marrim fjalë aty. Prandaj përmes një konference do duhej që të demaskoheshin pretendimet e Serbisë”.
Ish-ambasadori Arifi, ka kritikuar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili është nisur për vizitë në New York. Vlerëson se vizita e tij dhe e presidentes Omsani do të kishin peshë nëse zhvillojnë takime në Shtëpinë e Bardhë dhe jo të marrin pjesë në Ballo të organizuar nga shqiptarët.
