Ish-deputeti i PDK-së, Dr. Shaip Muja, i është drejtuar me një letër Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se pas intervistimit të tij në vitin 2019 ka heshtur për shkak se ishte intervistuar si i dyshuar lidhur me pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty-t.
Muja ka thënë se gjatë intervistimit ishte paraqitur pa avokat mbrojtës, ndonëse i ishte ofruar kjo mundësi, ndërsa ka rikujtuar deklaratën që ua kishte bërë hetuesve: “Nëse keni fakte, më arrestoni, sepse nuk kam për çfarë të kem frikë”.
Ai ka theksuar se vazhdon të jetë i bindur se nuk ka ekzistuar trafikimi i organeve njerëzore, siç është pretenduar ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.
Në letrën e tij, Muja ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, pretendimet e Raportit të Dick Marty-t janë shndërruar ndër vite në akuza publike dhe ka thënë se ai dhe familja e tij kanë përjetuar pasojat e këtyre akuzave.
Muja ka deklaruar se e mbështet Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin dhe beson në pafajësinë e tyre.
Ai ka shprehur shqetësimin për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor dhe vitet e kaluara në paraburgim nga të akuzuarit, duke theksuar se vendimi i gjykatës duhet të mbështetet vetëm në prova dhe ligj.
Sipas Mujës, procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka rëndësi përtej katër individëve, pasi vendimi mund të ndikojë edhe në mënyrën se si do të interpretohet lufta e Kosovës.
Sipas tij, vendimi duhet të merret pavarësisht bindjeve politike apo perceptimeve të krijuara ndër vite.
“Faktet, ligji dhe drejtësia duhet të jenë më të forta se stigmatizimi, propaganda, politika dhe paragjykimi”, përfundon letra e Mujës.
LETËR
Drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë
Të nderuar,
Që prej intervistimit tim në Hagë në vitin 2019, kam heshtur. Nuk jam prononcuar publikisht, për faktin se jam intervistuar si i dyshuar në lidhje me pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty-t nga Dhomat e Specializuara.
Kam menduar se kjo ishte mënyra më e drejtë për t’u sjellë ndaj një procesi gjyqësor në zhvillim. Jam paraqitur për intervistim, pa avokat mbrojtës, megjithëse më ishte ofruar kjo mundësi.
Nuk kisha arsye të veproja ndryshe. Isha dhe mbetem i bindur, se nuk ka ekzistuar asnjëherë trafikimi i organeve njerëzore, siç është pretenduar publikisht për mua dhe për pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë intervistimit ju kam thënë hapur: “Nëse keni fakte, më arrestoni, sepse nuk kam për çfarë të kem frikë”. Ky qëndrim imi nuk ka ndryshuar.
Sot, pas kaq vitesh heshtjeje, mendoj se kam të drejtë të flas.
Raporti i Dick Marty-t u bë publik më 14 dhjetor 2010. Po bëhen pothuajse 16 vjet. Një raport i miratuar në Këshillin e Europës si dokument politik më pas prodhoi pasoja të jashtëzakonshme juridike dhe institucionale në Kosovë. U bënë publikë emra njerëzish, akuza shumë të rënda morën përmasa ndërkombëtare dhe shumë kohë përpara se të fliste drejtësia, mbi disa prej nesh ra pesha e dyshimit publik.
Nuk mund të anashkalohet as konteksti politik, në të cilin u ngritën dhe u ushqyen një pjesë e këtyre pretendimeve. Serbia, e cila kishte humbur kontrollin mbi Kosovën, kishte dhe vazhdon të ketë interes të drejtpërdrejtë për mënyrën se si interpretohet lufta e viteve 1998-1999 dhe roli i UÇK-së në të. Materiale, dëshmi dhe pretendime të sajuara nga burime serbe kanë qenë pjesë e debatit ndërkombëtar mbi UÇK-në.
Kjo nuk do të thotë se prejardhja e një informacioni përcakton vetvetiu vlerën e tij juridike. Prova duhet të vlerësohet për atë që është. Por nuk mund të shpërfillet konteksti në të cilin akuza të caktuara u krijuan, u përhapën dhe, me kalimin e viteve, u shndërruan në bindje publike për fajësi.
Unë e kam përjetuar drejtpërdrejt këtë. E ka përjetuar edhe familja ime. Jam përgojuar dhe akuzuar për vite me radhë, edhe në Kosovë, nga individë dhe media, që shpesh e kanë trajtuar dyshimin si fakt të provuar. Akuza jashtëzakonisht të rënda janë përsëritur ndaj meje sikur të ishin të vërteta të vendosura, duke më dëmtuar në jetën profesionale, publike dhe personale.
Nuk ia mohoj askujt të drejtën për të menduar ndryshe nga unë. Kosova e lirë u përket edhe atyre që nuk kanë luftuar, edhe atyre që kanë qenë dhe janë kritikë ndaj UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Edhe fëmijët e tyre gëzojnë të njëjtën liri dhe të njëjtat të drejta. Pikërisht kjo është një prej vlerave të lirisë, për të cilën kemi luftuar.
Por liria për të kritikuar nuk është e njëjtë me të drejtën për të shpallur dikë fajtor. Dhe këtu lind pyetja që më ka shqetësuar gjatë gjithë këtyre viteve: çfarë mbetet nga prezumimi i pafajësisë, kur një njeri jeton për gati 16 vjet nën peshën e një akuze publike ende të paprovuar ndaj tij?
Të nderuar,
Dua të jem i qartë edhe për diçka tjetër.
Unë i mbështes Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin dhe besoj në pafajësinë e tyre. Nuk kam arsye ta fsheh apo ta relativizoj këtë qëndrim, vetëm sepse ata ndodhen sot në bankën e të akuzuarve.
Jam krenar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për atë që ajo përfaqësoi në historinë e vendit tim. Për mua, UÇK-ja ishte ushtria që luftoi për çlirimin e Kosovës nga represioni serb. Këtë bindje e kam pasur gjatë luftës, pas saj dhe e kam edhe sot.
Por kjo bindje nuk më pengon të pranoj një parim themelor: askush nuk është mbi ligjin.
E di që po pretendohet se gjoja para Dhomave të Specializuara gjykohen individë dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ky është një dallim juridik i rëndësishëm dhe duhet respektuar. Por do të ishte po aq e pasaktë të pretendonim, se ky proces nuk ka pasoja për mënyrën se si do të shkruhet dhe interpretohet historia e UÇK-së.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk kanë qenë pjesëtarë periferikë të saj. Ata kanë qenë ndër drejtuesit kryesorë politik të UÇK-së. Prandaj, çfarëdo vendimi që do të merret për ta, do të ketë përveç pasojave juridike individuale, edhe pasoja historike dhe politike.
Në rastin e dënimit të drejtuesve kryesorë të UÇK-së, do të ishte naive të mendohej se vendimi do të mbetej vetëm brenda kufijve të përgjegjësisë së tyre individuale. Ai do të përdorej dhe interpretohej edhe si një gjykim mbi UÇK-në dhe, në një masë të caktuar, mbi vetë karakterin e luftës së saj. Kjo mund të mos jetë pasoja juridike e vendimit, por do të ishte një nga pasojat e tij historike dhe politike.
Nga ajo që di, nga ajo që kam përjetuar dhe nga ajo që kam deklaruar edhe gjatë intervistimit tim, UÇK-ja nuk ka pasur platformë, qëllim apo politikë për ndjekjen dhe keqtrajtimin e civilëve.
