Kryetari i Bashkësisë Islame në Deçan, Naser Tolaj përmes një postimi në Facebook ka përkrahur marshin për çlirimtarët, shkruan GazetaDemos.
Ai tha se nesër duhet të jemi bashkë përtej dallimeve politike.
"Aktakuza flet për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Por atëherë lind një pyetje e thjeshtë: nëse UÇK-ja paska qenë një organizatë kriminale, si shpjegohet që pikërisht në atë luftë NATO-ja dhe bota demokratike ndërhynë ushtarakisht për ta mbrojtur popullin e Kosovës?", u shpreh ai.
Postimi i plotë:
Nesër, përtej dallimeve politike, le të jemi bashkë për drejtësi dhe dinjitet!
Në Prishtinë do të marshojmë për të shprehur mbështetjen tonë për ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Atje nuk po gjykohen vetëm individë. Po vihet në peshore edhe një kapitull i historisë sonë lufta e popullit të Kosovës për liri.
Aktakuza flet për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Por atëherë lind një pyetje e thjeshtë: nëse UÇK-ja paska qenë një organizatë kriminale, si shpjegohet që pikërisht në atë luftë NATO-ja dhe bota demokratike ndërhynë ushtarakisht për ta mbrojtur popullin e Kosovës?
Kjo nuk është çështje e një partie, e një krahu politik apo e një individi. Është çështje e kujtesës, dinjitetit dhe historisë sonë.
Le të jemi të bashkuar edhe kur mendojmë ndryshe. Sepse Allahu i Madhëruar na mëson të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos përçahemi.
Zoti e dhëntë drejtësinë, paqen dhe bashkimin e zemrave tona.
N.T