Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, është shprehur i ‘’befasuar’’ me dënimin ‘’e rëndë’’ të ish-krerëve të UÇK’së, nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.Megjithatë, shton Riker, duhet të pritet edhe procesi përpara që është i apelimit, dhe se, gjëja më e rëndësishme është të mendohet për të ardhmen e rajonit.
“Epo, pas një kohe shumë të gjatë, sot mësuam për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në këtë rast. Procesi zgjati për disa vite, sigurisht, me Hashim Thaçin dhe të pandehurit e tjerë që po mbaheshin në paraburgim. Sinqerisht, u befasova që u dha një dënim kaq i rëndë. Ky është aktgjykimi i gjykatës, i Dhomave të Specializuara, dhe tani, sigurisht, çështja do të kalojë në procesin e apelimit dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati i këtij procesi. Epo, nuk më takon mua të them. Aktgjykimi është aktgjykimi. Ky është një proces përmes një institucioni që është krijuar për këtë qëllim. E di se në rajon, tek shumë njerëz, kjo shkakton një dhimbje të madhe. Por, siç thashë, duhet të shohim procesin që na pret, i cili përfshin edhe procesin e apelimit, dhe të shohim se ku mund të na çojë ky proces në fund. Mendoj se gjëja e rëndësishme është të mendojmë për të ardhmen e rajonit, të ardhmen e Kosovës, të ardhmen e Serbisë, të ardhmen e të gjithë Ballkanit dhe të Evropës. Dhe ka qenë prej kohësh shpresa ime që të shohim përparim të vërtetë në këtë drejtim. Fatkeqësisht, përparimi ka qenë shumë i ngadalshëm dhe nuk jam i sigurt se ky aktgjykim apo ky proces na ndihmon në këtë drejtim’’, ka deklaruar ai.Riker, ka dhënë komentet e tij edhe për pakënaqësitë e shprehura lidhur me vendimin, duke theksuar se s’duhet të ketë dhunë, pasi që ajo është e pajustifikueshme, dhe se, është koha që ‘’të ecim drejt diçkaje më të qëndrueshme’’.
‘’Përsëri, u takon njerëzve të mendojnë për rrugën më të gjerë që duhet ndjekur. Shprehja e reagimeve dhe e ndjenjës së padrejtësisë në këtë proces, që është ajo që po shohim në shumë raste, nuk duhet të jetë justifikim për dhunë. Kemi pasur mjaft dhunë në këtë rajon gjatë dekadave dhe shekujve. Është koha të ecim përpara drejt diçkaje më të qëndrueshme. Për këtë kishte të bënte edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kur punoja për këtë çështje, së bashku me baroneshën Catherine Ashton të BE-së, më shumë se një dekadë më parë, pikërisht këtë po përpiqeshim të arrinim. Dhe bëmë disa hapa përpara me marrëveshjen, Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2015. Fatkeqësisht, kanë kaluar më shumë se një dekadë dhe nuk kemi parë ndonjë përparim të mëtejshëm. Do të shpresoja që njerëzit të ndaleshin për një moment dhe të mendonin se çfarë nënkupton e gjithë kjo, si dhe të përpiqeshin të gjenin një rrugë të re përpara, në mënyrë që asgjë nga kjo të mos shihet si e kotë dhe që të gjithë njerëzit e rajonit të mund të kenë një të ardhme më të ndritur.’’, ka shtuar ai.Më tej, ish-diplomati amerikan ka thënë se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK’së ka pas të bëjë me përgjegjësinë individuale, dhe jo atë kolektive, duke shtuar se historia s’mund të ndryshohet.
