Një vendim dramatik që nuk e ndryshon historinë e ka quajtur ish-kryeministri shqiptar i Luftës së Kosovës, Pandeli Majko, verdiktin dënues të Gjykatës së Hagës ndaj katërshes së UÇK-së.
Për Majkon, vendimi ka edhe një dimension personal. Në vitet e luftës së Kosovës, ai ishte kryeministër i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi ishte një prej drejtuesve të UÇK-së dhe pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, shkruan Top Channel.
“Hashim Thaçi është drejtues i delegacionit të Rambujesë që e bëri për herë të parë Kosovën subjekt të të drejtave ndërkombëtare. Hashimi ishte një luftëtar, ishte një drejtues. Jam krenar që e kam pasur dhe do ta kem mik. Madje tani do ta kem mik më shumë”, u shpreh ish-kryeministri Majko.
Pa i fshehur emocionet, ai e cilëson vendimin si një dramë të jashtëzakonshme njerëzore dhe shpreh shqetësim për mënyrën se si, sipas tij, mund të ndikojë në perceptimin historik të luftës së Kosovës.
“Ky vendim nuk e ndryshon historinë, por në çdo rast është një vendim i një gjykate ndërkombëtare, ai do të gjykojë, por sesa do të peshojë me kalimin e kohës, do t’i lihet rrethanave. Dëshiroj të them që, megjithëse dëgjoj se UÇK-ja doli e pastër, kam një ndjenjë pesimizmi. Është disa herë që përpiqen të na deformojnë historinë. Nuk mund të thuash doli nga kjo histori e pastër UÇK-ja, që doli e papërlyer. Është fakt historik që UÇK-së ose i janë vrarë, ose i janë dënuar. Kjo është dramë dhe duhet vlerësuar thellësia e saj”, u shpreh ai për Top Channel.
Majko thotë se në këtë moment Kosova dhe Shqipëria duhet të tregojnë një qëndrim dinjitoz dhe të shmangin përplasjet me drejtësinë. Ai kujton edhe reagimet emocionale pas vendimit, duke thënë se drama njerëzore e këtij procesi nuk mund të anashkalohet.




