Ish-kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka deklaruar se në këtë komunë deri më tani nuk janë marrë masa për largime nga puna, por ka shprehur shqetësimin se në disa komuna të tjera në veri po ndërmerren vendime që, sipas tij, mund të jenë arbitrare dhe jashtë procedurave ligjore.
Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se në Zubin Potok po bëhen përpjekje për sistemimin e punëtorëve dhe thirrjen e tyre për t’u paraqitur në vendet e punës, por se ende nuk ka vendime konkrete për largime.
Ai theksoi se, sipas informatave që ka për komunat e tjera, veçanërisht për Mitrovicën e Veriut, po flitet për largime të stafit që janë pranuar përmes konkurseve.
“Këto masa çfarë po i lexoj edhe po jam i informuar nga komunat e tjera, do të thotë akoma në komunën e Zubin Potokut nuk kanë fillu me i marrë. Mirëpo ka një përpjekje të sistemimit të punëtorëve, e shoh që, do të thotë, i thërrasin me u lajmëru normal nëpër vendet e punës, po për t’u sistemu akoma nuk është marrë ndonjë hap i tillë. Meqenëse kjo çfarë kam lexuar, do të thotë edhe për komunat e tjera siç është Veriu i Mitrovicës, mendimi im është se ato janë disa vendime arbitrare të themi ashtu, se po merren vendime me i largu njerëzit prej pune që janë pranu me konkurse që nuk ka të drejtë asisoj. Shembull, ka të drejtë komuna të ngrejë, të themelojë komisionin disiplinor dhe natyrisht me përcjellë punën e secilit dhe në qoftë se ka ndonjë neglizhencë pune, ndërmerren masat, merr komisioni disiplinor, jo vendime asisoj”, tha Zeqiri.
Ai shtoi se veprime të tilla, nëse vazhdojnë, mund të prodhojnë tensione ndëretnike dhe se komunat kanë hapësirë për të punësuar staf të ri pa larguar punëtorët ekzistues.
